News

Zbardhen skenaret: Do përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare? 3 opsionet për Malin e Zi pas rënies së qeverisë së Abazoviç

Share on the social medias

“Të përballemi sa më shpejt me gjykatën e qytetarëve”, tha Dritan Abazoviç, kryeministër në mandatin teknik, pak para se deputetët e Kuvendit të Malit të Zi të votonin mosbesimin ndaj qeverisë që ai drejton.

Ndonëse mbrëmë u përmendën edhe koalicione të mundshme, marrëveshje dhe data të mundshme zgjedhjesh, aktualisht është e pasigurt nëse do të formohet një shumicë e re parlamentare që do të nxjerrë një qeveri të re apo nëse Mali i Zi do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ka qenë ‘stuhi’ mbrëmë në parlamentin malazez gjatë diskutimit për votën e mosbesimit për Qeverinë e Abazoviqit. Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e udhëhequr nga presidenti, Milo Gjukanoviq, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, Partinë Socialdemokrate, Partinë Liberale, Socialdemokratët dhe Bashkimin Demokratik të Shqiptarëve, paraqitën në parlament një iniciativë për votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë së 43-të malazeze vetëm pak ditë pasi kryeministri nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Patriarkun Porfiri të Kishës Ortodokse Serbe (KPS).

Pas më shumë se 12 orë diskutime, gjatë të cilave u shkëmbyen edhe fyerje, 50 deputetë votuan për rënien e qeverisë së Abazoviqit. Për rrëzimin e qeverisë, përveç atyre që parashtruan iniciativën e përmendur, votuan edhe deputetët e Malit të Zi Demokratik të udhëhequr nga Aleksa Beçiq dhe deputeti i “Prava Crna Gora”, Marko Milaçiq, raporton nova.

Gjatë debatit, Abazovic përmendi shumicën e re parlamentare, por u dëgjuan edhe deklarata për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Një shumicë e re që do të japë një mandat

Qeveria e Abazoviqit tani do t’i kryejë detyrat e saj në një mandat teknik. Një nga opsionet para Malit të Zi janë negociatat për formimin e një shumice të re parlamentare, e cila do të jetë në gjendje të ofrojë një mandat për përbërjen e qeverisë së 44-të. Në atë rast, presidenti Milo Gjukanoviq duhet t’i ofrojë një mandat kandidatit që ka krijuar shumicë të re.

Demokratët njoftuan mbrëmë se negociatat për formimin e qeverisë së re mund të nisin menjëherë.

Ndonëse janë akuzuar vazhdimisht se do të formojnë një shumicë të re me DPS-në, demokratët theksojnë se nuk do të bëjnë marrëveshje me partinë e Gjukanoviqit.

Koalicioni i shumicës së vjetër kërkoi edhe drejtuesit e Frontit Demokratik. Shumica e vjetër i referohet partive që fituan zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020 – DF, Demokratët, URA, të Drejtat, të Bashkuar, SNP. Pavarësisht se DF janë gati për marrëveshje, duket se akterët e tjerë politikë të shumicës së vjetër nuk duan të ulen në tryezën e bisedimeve.

Kështu, Abazoviq tha mbrëmë gjatë debatit se Lëvizja Qytetare “URA” nuk do të marrë pjesë në negociatat për qeverinë e re.

“Sonte kemi opsionin për të votuar ose jo për nismën e DPS-së. Nëse qeveria bie sonte, fat për ju. Mos e thërrisni më lëvizjen URA”, tha ai. Sipas tij, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe SNP-ja, por ende nuk kanë bërë të ditur asgjë nga ajo parti.

Nëse partitë nuk mund të bien dakord për formimin e një qeverie të re, ose nëse mandatari i mundshëm nuk arrin ta formojë atë, presidenti Gjukanoviq duhet të thërrasë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Një nga opsionet është mbajtja e tyre së bashku me zgjedhjet lokale – më 23 tetor. Vetë Abazoviq tha se URA kërkon zgjedhje të reja dhe këto ishin mesazhet e DF-së dhe demokratëve që publiku mund t’i dëgjonte pas formimit të qeverisë së pakicës.

Zgjedhjet gjatë pranverës 2023

Opsioni i tretë është organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në pranverë të vitit 2023, kur qytetarët e Malit të Zi do të zgjedhin presidentin. Deri atëherë, qeveria do të duhet të funksionojë nën një mandat teknik.

“Të përballemi me gjykatën e qytetarëve. Besoj se atëherë DPS nuk do të formojë asnjë qeveri”, tha mbrëmë në Kuvend, Abazoviq, i cili është në krye të qeverisë që nga 28 prilli i këtij viti.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *