Projekti më i ri që krijon 500 vende pune dhe miliona euro për Vlorën

Në Vlorë shumë shpejt nisin punimet për portin më të ri turistik. Atë që Kryeministri i vendit e cilësoi si marina moderne, tashmë do ta shohim të realizohet në një kohë të shkurtër. Marina Vlorë do të jetë impianti më i ri i punimeve që do të ngrihet aty ku sot ndodhet porti industrial i qytetit.

Përfaqësues të konsorciumit që ka marrë përsipër këtë investim madhor shprehen se Vlora dhe gjithë bregdeti shqiptar e meriton një marinë të krahasueshme me ato që kanë vendet e rajonit dhe Marina Vlorë do të plotësojë pikërisht këtë mungesë. 2.8 miliardë lekë do të jetë vlera e investimit, e parashikuar të shtrihet përgjatë 3-4 viteve. Volumi i punimeve do të përballohet me anë të kompanive lokale, duke siguruar kështu qindra vende të reja pune. Nisur dhe nga vetë natyra e projektit, pozicionet më të shumta të punës do jenë në inxhinieri marinash, inxhinieri navigimi, informacion dhe teknologji komunikimi, ndërtim, arkitekturë, si dhe profile të ndryshme ekonomike.

Numri i të punësuarve parashikohet të kalojë 500 persona, duke dhënë kështu një kontribut të ndjeshëm në punësimin e banorëve. Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat.

Sipas parashikimeve, kur të fillojë funksionimi, kjo marinë në vetvete do t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. N.q.s. marrim parasysh edhe shërbimet ndihmëse që do ta shoqërojnë atë, si p.sh. hoteleria, baret dhe restorantet apo edhe turizmin lokal, vlera e përgjithshme që do të krijohet për komunitetin arrin mbi 20 milionë euro në vit. Këto shifra tregojnë rëndësinë e vërtetë që do të ketë ky zhvillim për Vlorën dhe jo vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

WpCoderX